Parlamenti Europian miraton me 483 vota pro Rezolutën për Shqipërinë

Parlamenti Europian ka miratuar këtë të mërkurë Rezolutën vjetore për Shqipërinë me 483 vota pro, një vendim që është përshëndetur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla e cilësoi votimin si një vlerësim të rëndësishëm për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Ky vendim i përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqipërisë sonë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.

Balla falënderoi eurodeputetët që mbështetën rezolutën, duke veçuar raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, Grupin e Socialistëve dhe Demokratëve, si dhe eurodeputetin Andrey Kovatchev për kontributin në mbështetje të perspektivës europiane të vendit.

Sipas Ballës, ky votim përbën një sinjal të fortë mbështetjeje për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe objektivin për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.