Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me projektin në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, duke shprehur shqetësime për ndikimin e tij në mjedis dhe për zbatimin e legjislacionit mjedisor.
Në një deklaratë në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit tha se autoritetet shqiptare janë angazhuar për pezullimin e punimeve dhe për kryerjen e një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis, në bashkëpunim me shoqërinë civile.
Brukseli thekson gjithashtu se çështja është në vëmendje edhe të hetimeve të SPAK, përtej aspektit mjedisor.
Sipas Komisionit Europian, Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin me atë të BE-së dhe, në kuadër të procesit të integrimit dhe Kapitullit 27 për mjedisin, të shqyrtojë edhe ligjin për investimet strategjike, duke adresuar shqetësimet për ndikimin në zonat e mbrojtura.
BE nënvizon se pret që autoritetet shqiptare të shmangin çdo veprim që mund të cenojë standardet mjedisore dhe detyrimet në procesin e anëtarësimit.










