Të shtëna me armë janë regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në zonën e Patisias, në Athinë, duke shkaktuar panik mes qytetarëve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në një dyqan telefonash celularë në rrugën “Patision”, ku sipas informacioneve paraprake një person i armatosur hyri në ambientet e biznesit dhe qëlloi pronarin, një shtetas me origjinë pakistaneze.
Si pasojë e të shtënave, pronari i dyqanit mbeti i plagosur në këmbë dhe u transportua në spital, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas sulmit, autori u largua me shpejtësi me një automjet tip “BMW” ngjyrë gri, ku ndodheshin edhe tre persona të tjerë. Policia greke nisi menjëherë ndjekjen e automjetit të dyshuar.
Sipas mediave greke, makina u lokalizua pak minuta më vonë në rrugën “Tsounta”, në bulevardin “Kifissou”, në drejtim të Lamias. Gjatë përpjekjes për t’u arratisur, automjeti u përplas me disa mjete të tjera dhe më pas u ndal nga policia.
Nga operacioni u arrestuan tre persona me origjinë shqiptare, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Autoritetet greke po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.










