Rama për Ballukun në median estoneze: Nuk ka akuzë për korrupsion, por për keqmenaxhim prokurimi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me hetimet ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, gjatë një interviste për të përditshmen estoneze “Postimees”, ku ka deklaruar se ndaj saj nuk ekziston një akuzë për korrupsion, por për keqmenaxhim të procedurave të prokurimit publik.

Rama theksoi se sipas Kodit Penal, keqmenaxhimi i prokurimit publik është një çështje e ndryshme nga korrupsioni dhe se hetimet duhet të vijojnë pa cenuar lirinë e individit vetëm mbi bazën e dyshimeve.

“Ky nuk është një rast korrupsioni. Prokuroria nuk po e akuzon atë për korrupsion. Ky është keqmenaxhim i prokurimit publik, i cili është larg korrupsionit sipas Kodit Penal”, u shpreh Rama.

Kryeministri sqaroi gjithashtu se në Shqipëri nuk ekziston imuniteti ndaj hetimit dhe se çdo zyrtar, përfshirë edhe vetë atë, mund të hetohet nga prokuroria pa autorizim parlamentar. Sipas tij, roli i Kuvendit lidhet vetëm me miratimin ose jo të kufizimit të lirisë së një deputeti.

“Ne thamë të vazhdonte hetimi, por nuk mund ta kufizosh lirinë e dikujt thjesht mbi bazën e disa dyshimeve për diçka që nuk është korrupsion”, deklaroi Rama.

Në intervistë, kreu i qeverisë foli edhe për progresin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, duke vënë theksin te digjitalizimi i shërbimeve publike dhe reformat në prokurimet shtetërore.

Sipas Ramës, 95% e shërbimeve publike në Shqipëri ofrohen online, duke reduktuar kontaktin fizik mes qytetarëve dhe administratës, çka sipas tij minimizon hapësirat për korrupsion.

Ai shtoi se institucionet ndërkombëtare që bashkëpunojnë me Komisionin Evropian dhe OECD-në kanë vlerësuar sistemin shqiptar të prokurimit publik si më të drejtë se ai i 16 vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjatë intervistës, Rama komentoi edhe sfidat e Bashkimit Evropian, duke kritikuar ritmet e ngadalta të vendimmarrjes dhe duke theksuar se Shqipëria synon të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030.