Detaje të reja kanë dalë në lidhje me plagosjen me armë zjarri të efektivit 30-vjeçar të policisë, Anxhelo Kumaraku, ngjarje e ndodhur në zonën e Shkozës në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, efektivi nuk dyshohet të ketë qenë objektivi i atentatit. Hetuesit dyshojnë se shënjestra ka qenë fqinji i tij, me të cilin Kumaraku ndodhej në momentin e ngjarjes.
Nga hetimet rezulton se konflikti lidhet me një çështje borxhi mes disa personave, ndërsa po verifikohet edhe pista e prishjes së pazareve të drogës si motiv i mundshëm i atentatit.
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy vëllezër, të dyshuar si autorë të plagosjes së efektivit.
Ndërkohë, mësohet se polici i plagosur nuk kishte njoftuar autoritetet për thyerjen e masës së sigurisë nga ana e fqinjit të tij, element që po verifikohet në kuadër të hetimeve.
30-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.










