Një incident i rëndë është regjistruar gjatë orëve të natës në zonën e Hidrovorit të Akërnisë, ku prej javësh kanë nisur punimet për ndërtimin e një resorti turistik.
Sipas të dhënave paraprake, një person ende i paidentifikuar ka hyrë në kantier dhe dyshohet se ka spërkatur me lëndë djegëse një skrep dhe mjete të tjera të tonazhit të rëndë. Për pasojë, njëri prej skrepave është përfshirë plotësisht nga flakët, duke u shkrumbuar pothuajse totalisht, ndërsa mjete të tjera kanë pësuar dëmtime më të lehta.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, si dhe shërbimet e Policisë, që kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Paraprakisht dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me tensionet dhe kundërshtitë që kanë shoqëruar projektin në zonën e mbrojtur të Akërnisë.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas protestave të aktivistëve mjedisorë dhe banorëve të zonës, të cilët kundërshtojnë zhvillimin e punimeve në këtë territor, duke e cilësuar atë si një pasuri natyrore me rëndësi të veçantë ekologjike.
Policia po vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e shkakut të saktë të zjarrit.










