Numri i viktimave nga aksidentet rrugore në Shqipëri është rritur gjatë vitit 2025, duke rikthyer në vëmendje sfidat e sigurisë në rrugë. Sipas një raporti paraprak të Komunitetit të Transportit për Ballkanin Perëndimor, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, në vend u regjistruan 200 viktima gjatë vitit 2025, nga 175 që ishin një vit më parë, ose rreth 14.3% më shumë.
Raporti thekson se Shqipëria ka 85 viktima për një milion banorë, gati dyfish më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 43 viktimash për një milion banorë. Megjithatë, krahasuar me vitin 2019, fatalitetet rrugore në vend kanë pësuar një ulje prej rreth 11.9%.
Sipas dokumentit, progresi në rajon drejt objektivit për përgjysmimin e viktimave deri në vitin 2030 mbetet i ngadaltë. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, numri i viktimave arriti në 1,287 gjatë vitit 2025, niveli më i lartë që prej vitit 2019.
Komuniteti i Transportit vlerëson se vendet e rajonit kanë bërë hapa në përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e masave të kontrollit rrugor, por kërkohet më shumë punë në mbledhjen e të dhënave, zbatimin e ligjit dhe ndërgjegjësimin për përdorimin e rripit të sigurimit dhe mbrojtjen e fëmijëve në automjete.










