Kushtet që duhet të plotësojnë familjet për shitjen te të huajt

Projektligji për shitjen e tokës bujqësore përcakton kriteret që duhet të plotësojnë familjet bujqësore që duan t’ua shesin tokën persona fizikë ose juridikë të huaj. Sipas draftit, rreth 445 mijë familje që kanë përfituar tokë nga ndarja bujqësore do të jenë subjekt i këtij ligji.

Në nenin 8 parashikohet se familjet duhet të disponojnë dokumentacion të plotë ligjor, si certifikata e pronësisë, kartela e pasurisë, akti noterial i shitjes dhe harta e vendndodhjes së tokës. Po ashtu kërkohet dokumentacion që provon përbërjen e familjes bujqësore, përfshirë certifikatën familjare, vërtetim nga pushteti vendor dhe deklarata e përbashkët e anëtarëve bashkëpronarë.

Drafti përcakton se asnjë anëtar i familjes nuk mund të shesë pjesën e tij të tokës pa u bërë më parë pjesëtimi i pasurisë sipas Kodit Civil. Gjithashtu, kalimi i pronësisë lejohet vetëm për tokat e regjistruara sipas legjislacionit në fuqi.

Ligji parashikohet të hyjë në fuqi 7 vite pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.