Është zhvilluar në Tiranë ceremonia e rivarrimit të Dëshmorit të Atdheut, Novruz Cenalia, efektivit të Policisë së Shtetit i vrarë dy vite më parë në Fier. Ceremonia u mbajt në Varrezat e Dëshmorëve, në prani të familjarëve, drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të cilët vlerësuan figurën dhe sakrificën e Novruz Cenalisë në krye të detyrës.
Ministri Lamallari deklaroi se shpallja “Dëshmor i Atdheut” dhe rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve përbëjnë një akt nderimi për një punonjës policie që shërbeu me përkushtim deri në momentin e fundit.
Gjatë fjalës së tij, ai kërkoi gjithashtu që drejtësia të japë dënimin e merituar për autorët e krimit, duke theksuar se sulmet ndaj efektivëve të policisë janë sulme ndaj vetë shtetit dhe ligjit.










