Operacion në Sarandë/ Arrestohen 8 persona për ndërtim pa leje, ndalohen edhe 4 policë për shpërdorim detyre
Një operacion i Policisë së Shtetit në Sarandë ka çuar në arrestimin e 8 shtetasve që punonin në një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të qytetit. Në pranga kanë rënë edhe 4 punonjës policie, të dyshuar për mosveprim dhe shpërdorim detyre lidhur me këtë rast.
Sipas Policisë, objekti përbëhej nga disa struktura, një pjesë e të cilave ishin ndërtuar në ujë. Pas ndërhyrjes së policisë dhe institucioneve vendore, ndërtimet e paligjshme janë shembur nga IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake.
Në kërkim është shpallur edhe një shtetase, e cila dyshohet se posedonte hapësirën e plazhit dhe për llogari të saj po kryheshin punimet pa leje.
Pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë e Sarandës, janë ndaluar:
- Komisar Gëzim Bashllari, shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
- Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
- Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
- Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj tyre rëndojnë dyshime për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër efektivëve, ndërsa ka nisur edhe procedura për përjashtimin e tyre nga radhët e policisë. Po ashtu është pezulluar edhe Komisar Blerim Tafçiu, shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë hetimeve të AMP-së.










