Përndiqte ish-të dashurën pas ndarjes pas 17 viteve, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq policin A.M.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.M, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a prg.2 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 295 të vitit 2025 rezultoi e provuar se, në datën 10.02.2025, shtetësja L.C., ka bërë kallëzim ndaj shtetasit A.M, me detyrë punonjës policie, me të cilin ka patur një lidhje prej 17 vitesh dhe është ndarë në vitin 2024. Shtetasi A.M. gjatë kësaj periudhe me anë të veprimeve të përsëritura ka ngacmuar të kallëzuarën me anë të komunimit telefonik por edhe fizik duke i ushtruar presion psikologjik, duke i shkaktuar një gjendje e vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake.
Për këtë fakt, kallëzuesja ka paraqitur disa kallëzime në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Durrës.
Në përfundim të një hetimi të plotë dhe të gjithashëm, rezultoi e provuar se i pandehuri A.M ka konsumuar elementë të veprës penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a prg.2 i K.Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër sigurisë së personit, lirinë morale, qetësinë dhe zhvillimin normal të jetesës së personit.










