Qeveria hap rrugën për shitjen e tokës bujqësore por me kufizime, ja ku do lejohet dhe ndalohet

Të huajt mund të blejnë toka bujqësore në Shqipëri, por jo në zona strategjike apo të mbrojtura

Qeveria shqiptare po propozon ndryshime ligjore që do t’u hapnin rrugë shtetasve dhe kompanive të huaja për të blerë toka bujqësore në vend. Projektligji, i cili është hedhur për konsultim publik, parashikon që të huajt të kenë të drejtë të fitojnë pronësi si mbi tokat bujqësore shtetërore, ashtu edhe mbi ato private që zotërohen nga qytetarët shqiptarë me dokumentacion të rregullt pronësie.

Megjithatë, drafti përcakton edhe një sërë kufizimesh. Nuk do të lejohet shitja e tokës bujqësore kur ajo është pjesë e proceseve të kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, kur ndodhet në zona me rëndësi ushtarake apo për sigurinë kombëtare, si dhe në raste kur toka përfshihet në projekte strategjike. Gjithashtu, ndalohet tjetërsimi i tokave që ndodhen në parqe kombëtare, rezervate natyrore, zona të mbrojtura apo territore me vlera muzeore, historike dhe arkeologjike.

Sipas projektligjit, kalimi i pronësisë do të bëhet vetëm për tokat e regjistruara sipas legjislacionit për pasuritë e paluajtshme. Në rastet e tokave shtetërore të pandara, bashkitë ku ndodhet prona do të ndjekin procedurat administrative, ndërsa vendimi final për kalimin e pronësisë do të merret nga autoriteti kompetent.

Personat e huaj që kërkojnë të blejnë tokë bujqësore do të duhet të paraqesin kërkesë zyrtare dhe dokumentacionin përkatës, përfshirë edhe planin për përdorimin e tokës. Institucionet përgjegjëse do të kenë të drejtë të kërkojnë dokumente shtesë gjatë shqyrtimit të aplikimit.

Drafti vendos edhe kushte specifike që duhet të plotësojnë shtetasit apo kompanitë e huaja. Ata duhet të jenë rezidentë të përhershëm në Shqipëri prej të paktën 5 vitesh, të kenë ushtruar aktivitet bujqësor ose agrobiznes në vend për minimumi 3 vite dhe të provojnë përvojë ose arsimim në fushën e bujqësisë.

Po ashtu, aktiviteti duhet të ushtrohet përmes një kompanie të regjistruar në Shqipëri, ku personi i huaj të jetë pronar ose bashkëpronar. Ligji parashikon gjithashtu që përdorimi i tokës të mos dëmtojë interesin publik, mjedisin apo komunitetin lokal.