Bordi i Transparencës ka miratuar këtë të martë, 13 maj 2026, çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në vend.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e radhës:
- Çmimi i naftës (gazoil) në shitje me pakicë do të jetë maksimumi 201 lekë për litër, ndërsa me shumicë 189 lekë/litër.
- Çmimi i benzinës në tregun me pakicë do të jetë maksimumi 187 lekë për litër, ndërsa me shumicë 175 lekë/litër.
Autoritetet bëjnë me dije se çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 13 maj, në orën 18:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në vendimin e ardhshëm të Bordit.
Bordi i Transparencës u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit të karburanteve detyrimin për zbatimin e vendimit, ndërsa paralajmëroi se në rast shkeljesh do të ketë masa deri në pezullim aktiviteti.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se, bazuar në Aktin Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, ulja e akcizës në nivelin 80% aplikohet vetëm kur çmimi i naftës kalon 220 lekë/litër ose benzina 200 lekë/litër.
Meqenëse çmimet e miratuara aktualisht janë nën këto kufij, akciza do të vijojë të zbatohet në nivel të plotë, pra 100%.










