Shqipëria po përballet me një tkurrje të vazhdueshme të popullsisë, e ndikuar kryesisht nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se viti 2025 shënoi numrin më të ulët të lindjeve në më shumë se tre dekada, duke konfirmuar trendin negativ demografik të viteve të fundit.
Gjatë vitit të kaluar u regjistruan rreth 22 mijë lindje, 3.3% më pak krahasuar me vitin 2024. Krahasuar me vitin 1990, numri i lindjeve ka rënë me 73%, një tregues alarmant për strukturën demografike të vendit.
Po ashtu, gjatë 2025-s u regjistruan 21,394 vdekje, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë rezultoi vetëm 1,147 banorë, dukshëm më e ulët se një vit më parë.
Sinjalet e para për vitin 2026 tregojnë një përkeqësim të situatës. Në tremujorin e parë u regjistruan 5,146 lindje dhe 5,514 vdekje, duke sjellë një bilanc negativ natyror me 368 persona më shumë që humbën jetën sesa foshnje të lindura.
Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, lindjet janë rritur lehtë me 1%, ndërsa vdekjet kanë rënë me 7.4%.
Tirana vijon të mbetet qarku me numrin më të lartë të lindjeve, me 10,866 lindje gjatë vitit 2025 dhe 2,438 foshnje të regjistruara në tre muajt e parë të 2026-s. Në të kundërt, Gjirokastra rezulton qarku me numrin më të ulët, me vetëm 292 lindje gjatë vitit 2025 dhe 59 në tremujorin e parë të këtij viti.
Rënia e lindjeve është evidentuar pothuajse në të gjithë vendin. Gjatë vitit 2025, 11 qarqe shënuan ulje, ndërsa vetëm Tirana regjistroi rritje me 20.7%. Rënien më të fortë e pati Dibra, me 37.7% më pak lindje krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, në tremujorin e parë të vitit 2026, situata paraqitet më e luhatshme: gjashtë qarqe regjistruan rritje të lindjeve, një mbeti në të njëjtat nivele, ndërsa pesë qarqe shënuan rënie. Rritjen më të madhe e pati Berati me 14.5%, ndërsa rënia më e fortë u regjistrua në Gjirokastër me 23.4%










