Defekt i rëndë në rrjetin e ujësjellësit, disa zona të Vlorës pa ujë

Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm janë rikthyer në qytetin e Vlorës, pas një defekti të rëndë të regjistruar në rrjetin kryesor të ujësjellësit.

Sipas njoftimit të Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, avaria është shkaktuar nga një dëmtim në tubacionin kryesor 500 pranë zonës së “Miramare”, duke detyruar ndërprerjen e funksionimit të të gjitha stacioneve të furnizimit me ujë.

Ekipet teknike ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për riparimin e defektit dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal për qytetarët. Sipas institucionit, ndërhyrja është e domosdoshme për të shmangur dëmtime të tjera në rrjet.

Në njoftimin zyrtar, autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e banorëve, ndërsa bëjnë me dije se punimet pritet të zgjasin gjatë gjithë natës.

Kjo është një situatë që përsëritet për qytetin bregdetar. Kujtojmë se edhe në muajin dhjetor, Vlora mbeti për katër ditë pa ujë për shkak të një tjetër avarie në rrjetin kryesor, duke prekur mijëra familje dhe biznese. Në atë rast, riparimi u krye vetëm pas mbërritjes së pjesëve hidraulike nga Turqia.