Rikthimi i stacionit të trenit në Tiranë po hyn në një fazë konkrete, pasi Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin për ndërtimin e segmentit që do të lidhë Terminalin e Transportit Publik me Stacionin Qendror në kryeqytet. Projekti parashikohet të kushtojë rreth 1.5 miliardë lekë pa TVSH dhe është pjesë e linjës hekurudhore Durrës–Tiranë–Rinas.
Segmenti i ri hekurudhor do të ketë një gjatësi prej afro 4.2 kilometrash dhe do të shtrihet nga zona pranë kthesës së Kamzës deri në qendër të Tiranës. Linja do të jetë me një shinë dhe e orientuar kryesisht drejt transportit urban dhe interurban, ndërsa parashikohen edhe dy ndalesa ndërmjetëse përgjatë itinerarit.
Sipas projektit, trenat ndërqytetës nuk do të futen në qendër të kryeqytetit, por do ta përfundojnë udhëtimin në terminalin pranë kthesës së Kamzës. Nga aty, segmenti urban do të shërbejë për lidhjen me stacionin qendror në Tiranë.
Ndërhyrja infrastrukturore përfshin ndërtimin e një mbikalimi mbi Unazën e Madhe, si dhe nënkalime dhe mbikalime për këmbësorët. Traseja do të ndjekë pjesërisht linjën ekzistuese hekurudhore dhe më pas do të integrohet me Bulevardin e Ri të Tiranës, në funksion të zhvillimit urban të zonës.
Në segmentet brenda qytetit parashikohet ndarje nga trafiku rrugor, ndërsa në disa zona trenat do të lëvizin me shpejtësi të reduktuar për shkak të sigurisë dhe integrimit urban. Projekti prek mbi 70 mijë metra katrorë tokë dhe rreth 120 objekte.
Objektivi kryesor i investimit është reduktimi i trafikut dhe ndotjes në kryeqytet, si dhe rritja e përdorimit të transportit publik.
Ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës–Tiranë–Rinas pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa elektrifikimi dhe vendosja në funksion e trenave synohet të mbyllen në tremujorin e parë të vitit 2027.










