Prokuroria e Përgjithshme zhvilloi këtë të diel analizën vjetore të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për vitin 2025, ku u evidentuan arritjet, problematikat dhe prioritetet për periudhën në vijim.
Në takim morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, drejtues të institucioneve të drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe Dhomës së Avokatisë Fier.
Sipas analizës, gjatë vitit 2025 janë shënuar rezultate të rëndësishme në hetimin e veprave penale kundër jetës dhe shëndetit, si dhe në zbatimin e ligjit “Antimafia”, ku janë kryer sekuestrime dhe konfiskime me vlera të konsiderueshme.
Një nga treguesit më të rëndësishëm ishte ulja e kërkesave për masën e sigurisë “arrest me burg”, që përbën vetëm 40% të totalit të masave të sigurimit të kërkuara, nivel ky nën mesataren kombëtare.
Po ashtu, Prokuroria e Fierit raportoi se ka përfunduar më shumë çështje sesa ato të mbartura për vitin pasardhës, ku pjesën më të madhe e zënë dosjet e dërguara për gjykim. Në fokus u vu edhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të personave nën hetim.
Në analizë u theksua bashkëpunimi me Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera hetimore, si një faktor kyç në rezultatet e arritura.
Megjithatë, drejtuesit evidentuan edhe disa problematika, si procedimet penale të mbartura prej vitesh, hetimet për pastrimin e produkteve të veprës penale, mungesat në infrastrukturë dhe nevoja për rritjen e burimeve njerëzore.
Ndër prioritetet kryesore të Prokurorisë së Fierit për vitin në vijim janë forcimi i luftës kundër kriminalitetit, hetimi i korrupsionit dhe krimit ekonomik, goditja e trafiqeve të paligjshme, krimeve kibernetike, krimeve mjedisore dhe atyre në familje, si dhe shtimi i sekuestrimeve të pasurive me burim kriminal.










