Promovohet libri i mjekut popullor Rexhep Toska për shërimin e djegieve

Në Zharrëz, aty ku prej vitesh mjeku popullor Rexhep Toska ka ngritur klinikën e tij në ndihmë të pacientëve me djegie, është promovuar edhe libri kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij humane.

Libri sjell historinë e Rexhep Toskës, përkushtimin dhe punën e tij në trajtimin e plagëve të djegieve, deri në shërimin e plotë të pacientëve dhe pa lënë shenja. Në ceremoninë e promovimit morën pjesë miq, banorë dhe pacientë nga zona të ndryshme të vendit, të cilët ndanë histori mirënjohjeje për ndihmën dhe kujdesin që kanë marrë ndër vite.

Shumë prej tyre e cilësuan Rexhep Toskën si një njeri me vlera të rralla njerëzore, duke vlerësuar jo vetëm aftësinë e tij në shërimin e djegieve, por edhe humanizmin dhe zemërgjerësinë që e karakterizon.

Për banorët e Zharrëzës dhe për qindra pacientë nga e gjithë Shqipëria, Rexhep Toska mbetet një figurë e njohur për përkushtimin ndaj njerëzve në nevojë dhe për ndihmën e pakursyer që ka dhënë ndër vite.