Një shpërthim i fortë ka tronditur zonën e Oinofyta-s në Greqi gjatë orëve të para të mëngjesit, pasi persona ende të paidentifikuar hodhën në erë një bankomat dhe grabitën një shumë të madhe parash.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të së shtunës, kur banorët e zonës u zgjuan nga zhurma e fuqishme e shpërthimit që alarmoi autoritetet lokale.
Raportohet se autorët përdorën lëndë shpërthyese për të çarë bankomatin, ku dyshohet se ndodheshin rreth 100 mijë euro. Pas shpërthimit, ata morën të paktën një arkë me para dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Në vendngjarje u gjetën qindra kartëmonedha të djegura, me një vlerë totale rreth 2,500 euro, të cilat dyshohet se u dëmtuan gjatë shpërthimit.
Policia greke ka nisur hetimet dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa po merren edhe dëshmi nga banorët e zonës për të identifikuar autorët dhe itinerarin e tyre të arratisjes.
Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu mënyrën e organizimit të grabitjes dhe mjetin që autorët përdorën për t’u larguar pas shpërthimit.









