Berisha paralajmëron për protestën e radhës: Do të jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar protestën e ardhshme gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se pas kësaj mbledhjeje do të nisin menjëherë përgatitjet për protestën e radhës, ndërsa theksoi se data do të bëhet publike së shpejti.

Ai përdori tone të forta, duke deklaruar se opozita duhet të organizojë atë që e cilësoi si “kryengritja më e madhe” në vend.

“Ne do ngrihemi dhe më fuqishëm, ky është misioni ynë dhe ky është më i rëndësishëm seç ishte dje, pardje apo në çdo kohë. Nuk mund të mbyllë ai afera të cilat u kushtojnë miliarda qytetarëve shqiptarë.

Ndaj të përgatitemi për kryengritjen më të madhe, kurrë nuk pajtohemi ne me këtë veprimtari. Duhet të ngrihemi në emër të të gjithë shqiptarëve që nuk ngrihen dot nga frika. Historinë e bëjnë guximtarët.

Ndaj kryengritja e radhës duhet të jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria. Pas kësaj mbledhje fillojnë përgatitjet e protestës së ardhshme, datën do ta shpallim së shpejti”, deklaroi Berisha.