Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë shënuar rritje të fortë mëngjesin e së hënës në tregjet aziatike, të ndikuara nga përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Reagimi i tregjeve erdhi pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili njoftoi se SHBA-të kanë ndaluar dhe sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian, duke shtuar pasiguritë për një përplasje të mundshme në rajon.
Situata u përkeqësua më tej pas paralajmërimit të Teheranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një nga arteriet kryesore të transportit global të naftës. Autoritetet iraniane deklaruan se çdo anije tregtare që i afrohet zonës mund të konsiderohet objektiv.
Në këtë klimë tensioni, tregjet reaguan menjëherë: nafta Brent u rrit me 4.74%, duke arritur në 94.66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 5.6%, në nivelin 88.55 dollarë për fuçi.
Analistët paralajmërojnë se çdo ndërprerje e qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit mund të ketë pasoja të menjëhershme për furnizimin global me energji dhe të nxisë rritje të mëtejshme të çmimeve.









