Irani pretendon rimarrjen e kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, akuza ndaj SHBA për “pirateri”

Ushtria iraniane njoftoi këtë të shtunë se ka rimarrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, sipas raportimeve të mediave shtetërore në Teheran.

Agjencitë Fars dhe ISNA, si edhe transmetuesi shtetëror IRIB, citojnë një deklaratë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), ku thuhet se ngushtica do të rikthehet në gjendjen e mëparshme, nën kontrollin e forcave të armatosura iraniane.

Sipas raportimeve, disa anije kanë kaluar më herët përmes kësaj rruge ujore strategjike, por mbetet e paqartë niveli aktual i trafikut detar në një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës.

Në deklaratën ushtarake, SHBA akuzohet për “pirateri”, ndërsa veprimet e saj në rajon cilësohen si një formë bllokade detare. Irani ka paralajmëruar më herët se mund të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse tensionet me SHBA-në përshkallëzohen më tej.