Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vijuar turin e takimeve në qarqe, ku së fundmi u ndal në Shkodër dhe Lezhë, duke prezantuar objektivat kryesore dhe duke lëshuar paralajmërime të forta për strukturat vendore.
Gjatë takimeve me drejtuesit dhe efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Policisë Kufitare dhe Migracionit, si dhe Policisë Lezhë, Hita kërkoi masa të menjëhershme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, duke theksuar se situata e përsëritur çdo vit është e papranueshme.
Ai kërkoi analizë të thelluar të rasteve të mëparshme dhe identifikimin e financuesve dhe organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale, duke vënë theksin tek goditja e rrjeteve dhe jo vetëm e rasteve sporadike.
Në fokus të detyrave ishte edhe lufta ndaj armëmbajtjes pa leje, kapja e personave në kërkim, parandalimi i ngjarjeve kriminale, si dhe goditja e ndërtimeve pa leje, lojërave të fatit dhe aktiviteteve të paligjshme si call center-at.
Një tjetër prioritet mbetet rritja e sigurisë në shkolla, në rrugë dhe mbrojtja e pronës, ndërsa u kërkua reagim i menjëhershëm dhe profesional ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë për shkeljet e ligjit nga vetë efektivët, duke theksuar se çdo abuzim do të ndëshkohet njësoj si rasti i Komisariatit të Peqinit.
Gjithashtu, ai njoftoi nisjen e një operacioni kombëtar nga dita e hënë për lirimin e akseve rrugore nga zaptimet e paligjshme, duke kërkuar bashkëpunim të ngushtë me ARRSH-në dhe masa ndëshkuese për shkelësit.
Në fjalën e tij, Hita theksoi edhe rolin e Policisë Kufitare në menaxhimin e flukseve dhe garantimin e një pritjeje dinjitoze për qytetarët dhe turistët, si dhe forcimin e luftës kundër trafikut të paligjshëm ndërkufitar.










