Rama prezanton “Pasqyrën e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, 325 oferta me ulje deri në 40%

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar vënien në funksion të platformës online “Pasqyra e Çmimeve”, e cila synon t’u japë konsumatorëve mundësinë të krahasojnë çmimet e produkteve dhe të zgjedhin alternativat më ekonomike.

Sipas Ramës, platforma nis me 238 produkte të ndara në 13 kategori, duke u mundësuar qytetarëve të informohen për çmimet dhe të orientohen drejt blerjeve më të leverdishme.

Paralelisht, qeveria ka prezantuar edhe nismën “KURSE”, e cila përfshin 325 oferta me çmime të reduktuara. Ulja mesatare e çmimeve është 13,3%, ndërsa në disa produkte arrin deri në 40%.

Sipas kryeministrit, nismat janë rezultat i bashkëpunimit mes qeverisë, rrjeteve të supermarketeve dhe furnitorëve, me synimin për të nxitur konkurrencën, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të lehtësuar shpenzimet e përditshme të familjeve shqiptare.