Jep dorëheqjen Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi

Dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi: Kam vendosur të largohem pas shtatë muajsh

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pas shtatë muajsh në drejtimin e këtij institucioni. Deri në vijim të procedurave për zëvendësimin e tij, detyrat i janë deleguar zv.drejtoreshës aktuale.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kupi përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ka shpjeguar arsyet e largimit dhe ka renditur disa nga prioritetet e punës së tij gjatë kësaj periudhe.

Ai e ka cilësuar drejtimin e institucionit si një periudhë të vështirë, të shoqëruar me probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme dhe vendime të vështira.

Sipas Kupit, puna e tij është përqendruar te forcimi i sigurisë, përmirësimi i administrimit dhe modernizimi i sistemit penitenciar, me synimin për të rritur përgjegjshmërinë, profesionalizmin e punonjësve dhe për të përmirësuar kushtet e trajtimit të personave që vuajnë dënimin.

Në reagimin e tij, ai është ndalur edhe te kritikat dhe kundërshtitë me të cilat është përballur gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se është përpjekur t’i dëgjojë ato dhe të vijojë punën përballë pengesave.

Në fund, Adriatik Kupi ka falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, në veçanti ministrin Toni Gogu, si dhe drejtuesit, punonjësit e sistemit penitenciar dhe bashkëpunëtorët e tij për mbështetjen gjatë shtatë muajve në detyrë.

Ai është shprehur se largohet me respekt për përgjegjësinë e marrë përsipër, duke shpresuar që puna e nisur të vijojë për ndërtimin e një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.