Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesën e Sokol Hoxhës për shuarjen e dënimit me 25 vite burg
Vendimi është marrë këtë të hënë, më 12 tetor 2026, nga gjyqtarja Aurora Tusha, e cila ka konstatuar se dënimi i dhënë ndaj Hoxhës është parashkruar për shkak se ka kaluar afati ligjor për ekzekutimin e tij.
Sokol Hoxha ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 19 maj 2000, të lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë më 21 nëntor të po atij viti.
Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, mbrojtësit e tij kërkuan konstatimin e shuarjes së dënimit për shkak të parashkrimit dhe lirimin e menjëhershëm nga IEVP Fier. Edhe prokuroria mbështeti pranimin e kërkesës, duke argumentuar se kishte kaluar afati 20-vjeçar i parashkrimit pa u ekzekutuar dënimi.
Në vendimin e saj, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Sokol Hoxhës, me kushtin që ai të mos mbahet në burg ose paraburgim për ndonjë shkak tjetër ligjor por në Belgjikë: Në vitin 2010, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Brunilda Dervishi, në Bruksel, më 29 gusht 1997.
Pika kryesore në çështjen e sotme në Gjykatën e Fierit është se Hoxha kërkoi që dënimi shqiptar prej 25 vitesh të shpallet i parashkruar, për shkak të kalimit të kohës pa u ekzekutuar.
Kjo kërkesë lidhet me dënimin për vrasjen e dy vëllezërve, jo me dënimin e përjetshëm të dhënë në Belgjikë. Pra, edhe nëse gjykata pranon kërkesën për parashkrimin e dënimit shqiptar, kjo nuk do të thotë automatikisht se shuhet edhe dënimi
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga dita pas komunikimit të vendimit të arsyetuar.
VENDIMI I PLOTE
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e përbërë në trup gjykues prej:
GJYQTARE: AURORA TUSHA
mori në shqyrtim sot, më datë 12.10.2026 në Fier, në seancë gjyqësore publike, çështjen penale
që i përket palëve ndërgjyqëse:
KËRKUES: S. H , përfaqësuar në gjykim nga Av. Toto Avdiaj dhe Av. Rozeta Plaku, së
bashku ose veç e veç, zgjedhur me deklarim në seancë nga ana e kërkuesit.
PALË E INTERESUAR: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të
Përgjithshëm Fier, përfaqësuar nga prokurori znj. Malbora Dine.
Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale
OBJEKTI: Konstatimin e shuarjes së dënimit të dhënë ndaj të dënuarit S. H me vendimin
nr. 188, datë 19.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, lënë në fuqi me vendimin nr.
192, datë 21.11.2000 të Gjykatës së Apelit Vlorë, për shkak të parashkrimit të ekzekutimit të
dënimit.
BAZA LIGJORE: Neni 68 i Kodit Penal;
Nenet 462, 470 e vijues dhe 480 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata, në gjykimin e zhvilluar në prani të kërkuesit, në prani të përfaqësuesve të tij, në
prani të prokurorit, pasi vlerësoi në tërësi provat e administruara dhe dispozitat ligjore të
zbatueshme, dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, të cilat kërkuan:
Përfaqësuesit e kërkuesit Av. Toto Avdiaj dhe Av.Rozeta Plaku: Pranimin e kërkesës
sipas objektit, duke konstatuar se dënimi i dhënë ndaj kërkuesit S.H është shuar për shkak të
parashkrimit të ekzekutimit të dënimit. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të kërkuesit nga
IEVP Fier.
Prokurori: Pranimin e kërkesës pasi nga tërësia e akteve dhe provave të administruara rezulton
se ka kaluar afati 20 vjeçar i parashkrimit pa u bërë e mundur ekzekutimi i dënimit penal ndaj
kërkuesit, të dënuarit S.H.
PËR KËTO ARSYE;
Gjykata, bazuar në nenet 470 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, nenin 480 të Kodit të
Procedurës Penale dhe nenin 68, shkronja “a”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë,
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Konstatimin e shuarjes së dënimit prej 25 (njëzet e pesë) vjet burgim, të dhënë ndaj kërkuesit
S.H, me vendimin nr. 188, datë 19.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, lënë në fuqi
me vendimin nr. 192, datë 21.11.2000 të Gjykatës së Apelit Vlorë, për shkak të parashkrimit
të ekzekutimit të dënimit.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i kërkuesit S.H, nëse nuk mbahet i burgosur apo
paraburgosur për ndonjë shkak tjetër ligjor.
4. Shpenzimet gjyqësore mbeten siç janë kryer.
5. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të
Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të
Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e
komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
U shpall sot në Fier, në datë 12.10.2026 !
GJYQTARE










