Al*rm në Europë: Aeroportet rrezikojnë mungesë karburanti brenda tre javësh

Aeroportet në të gjithë Europën mund të përballen me mungesë të karburantit për avionët brenda tre javëve të ardhshme, nëse furnizimet nuk rifillojnë përmes ngushticës së Hormuzit. Paralajmërimi është bërë nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve për Europën (ACI Europe), i cili i ka drejtuar një letër komisionerit të transportit të BE-së, Apostolos Tzitzikostas.

Sipas ACI, situata aktuale rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt sezonin veror të pushimeve, me pasoja të mundshme si anulime fluturimesh dhe çrregullime në udhëtime. Kriza lidhet me tensionet në Lindjen e Mesme dhe mbylljen e ngushticës së Hormuzit nga Irani, një rrugë jetike për transportin e naftës nga Gjiri.

Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një armëpushim, tregjet mbeten të paqëndrueshme. Çmimi i naftës Brent ka arritur rreth 96 dollarë për fuçi, nga rreth 72 dollarë para shpërthimit të konfliktit, duke reflektuar pasigurinë mbi vazhdimësinë e furnizimeve.

Në letrën e saj, ACI paralajmëron se nëse kalimi në Hormuz nuk rifillon në mënyrë të qëndrueshme brenda afatit trejavor, mungesa sistematike e karburantit për avionë në Bashkimin Europian do të bëhet realitet.

Ndërkohë, çmimet e karburantit për avionë janë rritur ndjeshëm që nga fundi i shkurtit. Sipas të dhënave të IATA-s, ato kanë arritur në rreth 1,650 dollarë për ton, më shumë se dyfishi krahasuar me një vit më parë. Rritje të forta janë regjistruar si në Azi ashtu edhe në Europë, për shkak të konkurrencës për furnizime alternative.

Europa zakonisht siguron mbi 60% të karburantit për avionë nga rafineritë e Gjirit, ndërsa mbi 40% e këtij furnizimi kalon përmes ngushticës së Hormuzit. Kufizimet në këtë rrugë strategjike kanë detyruar vendet europiane të kërkojnë burime të tjera, duke rritur presionin mbi tregun global.