Trump: “Do të marr Kubën” – Ishulli në krizë të thellë energjetike dhe nën presion nga SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me Kubën, duke u shprehur se beson që do të ketë “nderin ta marrë” ishullin, në një kohë kur vendi po përballet me një nga krizat më të rënda energjetike në vitet e fundit.

Gjatë një prononcimi për mediat në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se nuk ka shumë rëndësi nëse Kuba do të “çlirohet apo merret”, duke shtuar se mund të bëjë “çfarë të dojë me të”.

Ndërkohë, situata në Kubë vijon të përkeqësohet. Vendi po përjeton ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, si pasojë e mungesës së karburanteve dhe infrastrukturës së amortizuar. Rreth 10 milionë banorë janë prekur nga errësira dhe kufizimet energjetike.

Kriza është thelluar edhe nga presioni i Shteteve të Bashkuara ndaj furnizimeve me naftë, kryesisht nga Venezuela. Raportohet se pas masave të ndërmarra ndaj liderit venezuelian, Nicolás Maduro, janë ndërprerë dërgesat me karburant drejt ishullit.

Për më tepër, në muajin janar, administrata Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon penalizime për çdo shtet që furnizon Kubën me naftë, duke e izoluar edhe më tej vendin.

Pasojat janë ndjerë në disa sektorë kyç: linjat ajrore kanë pezulluar fluturimet për shkak të mungesës së karburantit, turizmi ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa autoritetet kanë kufizuar furnizimin me naftë dhe kanë pezulluar disa shërbime spitalore.

Situata e rënduar ka sjellë edhe tensione sociale. Në qytetin Moron janë raportuar protesta të dhunshme, ku manifestuesit kanë sulmuar zyrat e Partisë Komuniste.

Nga ana tjetër, mediat ndërkombëtare raportojnë se zyrtarë amerikanë kanë sinjalizuar kërkesën për largimin nga pushteti të presidentit kuban, Miguel Díaz-Canel.

Në reagimin e tij, zëvendëskryeministri kuban, Oscar Perez Olivia, ka deklaruar se Kuba mbetet e hapur për marrëdhënie tregtare me SHBA dhe ka njoftuar masa për të lejuar investimet nga diaspora kubane.

Kriza në Kubë po konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha aktuale në rajon, ndërsa retorika politike mes dy vendeve vijon të përshkallëzohet.