Rama paralajmëron administratën publike: Do kalojnë në testime, të rriten në karrierë sipas meritës

Rama prezanton “Shkallën e Meritës”: Në administratë, edhe ata që nuk punojnë nuk penalizohen

Kryeministri Edi Rama ka pranuar se një nga problemet kryesore të administratës publike është mungesa e lidhjes mes performancës në punë dhe avancimit në karrierë. Gjatë prezantimit të reformës “Shkalla e Meritës”, ai deklaroi se shumica dërrmuese e nëpunësve civilë mendojnë se angazhimi apo mosangazhimi në punë nuk ndikon në vlerësimin dhe rritjen e tyre profesionale.

“Ajo që mbetet shumë serioze, më shumë se në të tjerat, është se shumica dërrmuese e nëpunësve, e njerëzve të administratës, thonë se nëse punon apo nuk punon, kjo duket sikur nuk ka rëndësi për sa kohë që vlerësohesh dhe rritesh në karrierë. Dhe më keq akoma, ajo që e bën edhe më negativ këtë vlerësim, është fakti që nuk ka pasoja negative në vlerësim për ata që nuk punojnë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë tha se reforma synon të krijojë një administratë më profesionale dhe të përgjegjshme, ku vlerësimi i punonjësve dhe mundësitë e avancimit të lidhen drejtpërdrejt me rezultatet e punës.

Rama pranoi gjithashtu se kishte pasur skepticizëm për mundësitë e rritjes reale të cilësisë së administratës publike, veçanërisht gjatë procesit të përgatitjes së Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Sipas tij, meritokracia dhe mënyra se si përzgjidhen punonjësit e administratës shtetërore kanë qenë ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve. Ai tha se protestat kanë shërbyer edhe si një mundësi për të shprehur pakënaqësitë e akumuluara dhe për të kërkuar përshpejtimin e reformave.

“Dhe një nga pikat më goditëse të shumë zyrave që unë, bashkë me të tjerët, u përpoqa të dëgjoja, ishte pikërisht merita. Sa hyjnë në punë me meritë në Shqipëri, në raport me ambicien për të shërbyer në shtetin shqiptar, për shtetin shqiptar”, deklaroi kryeministri.

Në këtë kuadër, Rama prezantoi “Shkallën e Meritës” si një komponent të ri të transformimit të administratës publike, krahas nismave BESA dhe platformës “Pasqyra”, e cila synon të mbledhë informacionin për institucionet shtetërore në një platformë të vetme.

Kryeministri bëri të ditur se reforma mbështetet edhe në rezultatet e një ankete të brendshme, ku nëpunësit civilë kanë shprehur në mënyrë anonime vlerësimet e tyre për funksionimin e administratës dhe problematikat që duhen adresuar.

Procesi i vlerësimit do të nisë nga drejtuesit e lartë të administratës, veçanërisht sekretarët e përgjithshëm të ministrive. Sipas Ramës, përgjegjësia e këtyre drejtuesve ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e të gjithë sistemit.

“Sekretarët e përgjithshëm janë fillimi i një procesi vlerësimi që shkon nga lart-poshtë dhe ku, nëse ata çedojnë, çedon i gjithë sistemi”, u shpreh ai.

Rama shpjegoi se, sipas kalendarit të përcaktuar, punonjësit e administratës do të kenë mundësi t’i nënshtrohen testimeve periodike, për të përmirësuar pikët e vlerësimit dhe për të rritur mundësitë e avancimit në karrierë.

Një tjetër çështje që ngriti kryeministri lidhet me të rinjtë që përfitojnë nga programet e ekselencës dhe angazhohen për një periudhë në administratën publike, por që në shumë raste mbeten jashtë sistemit pas përfundimit të programit, edhe kur kanë pasur rezultate të mira.

Sipas tij, kjo problematikë duhet të trajtohet me kujdes, në mënyrë që të mos ndërpritet marrëdhënia e punës me të rinjtë që kanë dëshmuar aftësi dhe performancë të lartë.

Me “Shkallën e Meritës”, qeveria synon të vendosë një sistem ku vlerësimi, përgjegjësia dhe mundësitë e karrierës në administratën publike të lidhen më ngushtë me performancën e punonjësve.