Rrëzohet një avion ushtarak amerikan në Irak, humbin jetën 6 anëtarë të ekuipazhit

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se gjashtë anëtarë të ekuipazhit kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni ushtarak në perëndim të Irakut.

Sipas një njoftimi të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) në rrjetet sociale, bëhet fjalë për një avion furnizimi me karburant në ajër të tipit KC-135, i cili u rrëzua gjatë një misioni.

Autoritetet ushtarake amerikane bëjnë të ditur se të gjithë personat që ndodheshin në bord janë konfirmuar të vdekur.

“Rrethanat e incidentit janë ende nën hetim. Megjithatë, humbja e avionit nuk ka ardhur si pasojë e zjarrit armik apo zjarrit miqësor”, thuhet në deklaratën e Komandës Qendrore të SHBA-së, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Me këtë incident, numri i përgjithshëm i viktimave amerikane të konfirmuara në operacionin kundër Iranit shkon në 13.