Ulqini bëhet qendër e spektaklit madhështor kushtuar Shën Terezës

Ngjarja më e madhe televizive kushtuar figurës së Shën Terezës do të zhvillohet këtë vit në Ulqin, duke sjellë një mbrëmje të veçantë artistike dhe shpirtërore, të mbushur me emocione dhe mesazhe humanizmi.

Publiku do të ndjekë spektaklin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, një homazh për figurën shqiptare që u kthye në simbol botëror të dashurisë, përkushtimit dhe shërbimit ndaj njeriut, veçanërisht ndaj më të dobëtve.

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Ulqin do të ngjiten 14 personalitete të biznesit dhe humanistë shqiptarë nga e gjithë bota, të cilët përmes veprës dhe angazhimit të tyre mishërojnë vlerat që përfaqëson Shën Tereza.

Producenti dhe prezantuesi Sokol Guga sjell këtë vit një spektakël të konceptuar ndryshe, me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë nga Kosova dhe diaspora, të cilët pritet të krijojnë emocione të forta për publikun. Çdo element skenik do të jetë në funksion të mesazhit universal të dashurisë dhe humanizmit.

Skenografia i është besuar Bledar Gërcaliut, ndriçimi Olsi Tufës, audio Andri Gjinit, grafikat Taulant Hyso me stafin e tij, ndërsa drejtimi artistik realizohet nga regjisori Armelin Llanaj. Organizatorët garantojnë një produksion dinjitoz dhe spektakolar.

Pas suksesit të vitit të kaluar në Luginën e Preshevës, spektakli zhvendoset këtë vit në Ulqin, duke sjellë një homazh artistik që dëshmon se figura e Shën Terezës vazhdon të frymëzojë breza të tërë dhe mbetet më aktuale se kurrë.

Spektakli zhvillohet nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.