Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Porcari, në provincën e Luçës, ku katër anëtarë të së njëjtës familje kanë humbur jetën në banesën e tyre, dyshohet si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Viktimat janë:
- Arti Kola,
- bashkëshortja e tij Jonida,
- djali Hajdar, 22 vjeç,
- dhe vajza Xhesika, 15 vjeçe.
Sipas autoriteteve italiane, gazi dyshohet se ka rrjedhur nga kazani i ngrohjes, ndërsa hetimet janë ende në vijim për të konfirmuar shkaqet e sakta të kësaj ngjarjeje.
Në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë edhe kryetari i Komunës së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili reagoi i tronditur në rrjetet sociale, duke e quajtur këtë një humbje të madhe për komunitetin.
Mesazhi i kryetarit të Komunës
“Mbrëmjen e djeshme, një fatkeqësi e madhe ndodhi në vendin tonë.
Një familje e tërë, familja Kola, me shumë gjasa humbi jetën në shtëpi, për shkak të monoksidit të karbonit që rrjedh nga kazani.
Babai Arti, nëna Jonida me dy fëmijët e tyre, Hajdarin 22 vjeç dhe Xhesikën 15 vjeçe.
Jemi të gjithë të tronditur dhe të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike, që na kujtoi edhe tragjedinë e familjes Malanca dhe atë të shkurtit të vitit 1992.
Komuniteti ynë qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve, në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin.
U prehshin në paqe, të gjithë së bashku.”
Ngjarja ka tronditur jo vetëm komunitetin vendas, por edhe shqiptarët në Itali dhe më gjerë.










