Vr*tet djali i Muamar Gaddafit

Saif al-Islam Gaddafi, djali më i njohur i ish-udhëheqësit libian Muammar al-Gaddafi, është vrarë, bëjnë të ditur burime pranë familjes së tij, sipas raportimit të agjencisë Reuters.

Mediat libiane shkruajnë se lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar edhe nga avokati Khaled al-Zaidi. Ndërkohë, televizioni “Al Jazeera” raporton se vdekja ka ndodhur “nën rrethana misterioze”, pa dhënë detaje zyrtare mbi autorët apo motivet.

Saif al-Islam ishte një nga figurat më të njohura politike në Libi para vitit 2011, ku luajti rol të rëndësishëm në politikën e regjimit të të atit. Pas rrëzimit të Gaddafit, ai u tërhoq nga jeta publike dhe u shfaq shumë rrallë në skenën politike.

Në vitin 2015, një gjykatë libiane e dënoi atë me vdekje në mungesë për shtypjen e protestave paqësore gjatë revolucionit të vitit 2011. Ai ishte gjithashtu nën hetim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime të dyshuara kundër njerëzimit.

Në vitin 2021, Saif al-Islam u regjistrua si kandidat në zgjedhjet presidenciale, të cilat më pas u anuluan për shkak të krizës politike dhe mungesës së konsensusit në vend.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për ngjarjen, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes janë në vijim.