Vr*s*a e Jani Aliajt në burgun e Koridhalos, hetimet marrin drejtim të ri

Hetimet për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj në burgun e Koridhalos në Greqi po vijojnë, ndërsa autoritetet greke kanë hapur një pistë të re hetimore lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Sipas burimeve policore, në kuadër të verifikimeve po merret në shqyrtim edhe 44-vjeçari Xhuliano Halili, i cili ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën dhe rezulton i plagosur pas ngjarjes. Ai ishte i sistemuar në qeli pranë Aliajt, fakt që e ka futur në rrethin e personave që po hetohen.

Fillimisht, përgjegjësinë për vrasjen e mori një i burgosur grek, Kristos Vardhuniotis (27 vjeç), i cili u paraqit vetë në polici dhe deklaroi se ishte autor i krimit. Megjithatë, nga verifikimet e para është konstatuar se në vendngjarje nuk janë gjetur shenja përleshjeje, çka ka bërë që autoritetet të shqyrtojnë edhe skenarë të tjerë.

Burime nga ambientet e burgut kanë bërë me dije se po analizohen disa versione alternative, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për autorësinë reale të ngjarjes.

Pista e së shkuarës së viktimës

Jani Aliaj ka qenë prej vitesh në vëmendjen e autoriteteve greke për lidhje të mundshme me rrethe kriminale, veçanërisht në konfliktet mes grupeve që veprojnë në jetën e natës në Greqi. Këto dyshime nuk janë provuar zyrtarisht, por po merren në konsideratë në kuadër të hetimit.

Profil i personit të verifikuar

Xhuliano Halili është i dënuar në Greqi me burgim të përjetshëm për ngjarje të rënda të ndodhura në të kaluarën. Ai është përfshirë në disa dosje penale, përfshirë edhe incidente të ndodhura brenda burgut të Koridhalos, çka e bën një person me profil të lartë rrezikshmërie për autoritetet.

Policia greke bën me dije se:

“Hetimet janë në vijim dhe çdo pistë po verifikohet.”

Zhvillime të tjera priten në orët dhe ditët në vijim.