Berisha: Protesta më 24 janar më e fuqishmja që ka parë Tirana

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi të enjten grupin parlamentar ku bëri thirrje për nisjen e betejës pa kthim për largimin sa më parë të Edi Ramës nga pushteti.

Sipas Berishës, shqiptarët dhe gjithë bota presin nga PD që ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e paprecedentë, ndërsa theksoi se opozita nuk do t’i zhgënjejë duke nisur nga protesta e 24 janarit, që siç tha do të jetë më e madhja ndonjëherë.

“Do ngremë në këmbë çdo shqiptar deri në largimin e tij, çdo ditë që kalon është ditë që nuk ka legjitimitet për të, një njëri që shndërron zgjedhjet në farsë, që vjedh qytetarët, që shkel ligjin, duhet me çdo kusht të bëhet përgjegjës para ligjit. Të shkojë kur të dojë, vrimë miu nuk do gjejë në rast se vazhdon të bllokojë Kushtetutën dhe ligjin, është apel për dinjitetin e çdo shqiptari.
Asnjë kryeministër nuk ka guxuar të veprojë në këtë mënyrë. PD nuk vjen në pushtet me zor kurrë por do hapë rrugën për zgjedhje të ndershme. Qytetarët presin nga opozita dhe ne nuk do i zhgënjejmë. Kemi caktuar një datë proteste të fuqishme, më të fuqishmen që ka parë ndonjëherë Tirana, por jemi të betuar deri në largimin e këtij pushteti”, tha Berisha.