Me nisjen e vitit 2026 hyjnë në fuqi ndryshime të reja në skemën e pensioneve, të parashikuara nga reforma e miratuar në janar të vitit 2015. Këto ndryshime lidhen me rritjen graduale të moshës së daljes në pension dhe të viteve të vjetërsisë në punë, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë.
Gjatë vitit 2026, gratë duhet të kenë mbushur moshën 62 vjeç për të përmbushur kriteret e daljes në pension. Sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore”, mosha e pensionit për gratë rritet me dy muaj çdo vit, duke arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Më pas, rritja e moshës do të përfshijë edhe burrat, deri në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.
Ndërkohë, edhe pse burrat nuk preken ende nga rritja e moshës së pensionit, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Nga 1 janari 2026, për të përfituar pension pleqërie kërkohen 39 vite sigurimi, nga 35 vite që ishin para reformës. I njëjti parim zbatohet edhe për gratë, ku rritja e moshës shoqërohet paralelisht me rritjen e vjetërsisë në punë.
Sipas legjislacionit në fuqi, vjetërsia në punë është një element kyç në formulën e përllogaritjes së pensionit. Pensioni përbëhet nga një shumë bazë, e barabartë me pensionin social, e shumëzuar me vitet e sigurimit që ka individi dhe e pjesëtuar me vitet e kërkuara të vjetërsisë në punë.
Mosha e daljes në pension – 2026
- Burra: 65 vjeç
- Gra: 62 vjeç
Vjetërsia e kërkuar në punë
- Viti 2025: 38 vjet e 8 muaj
- Viti 2026: 39 vjet










