Ballina Shqiperia ime Fundvit pa ulje çmimesh, qytetarët me pak blerje për Vitin e Ri

Fundvit pa ulje çmimesh, qytetarët me pak blerje për Vitin e Ri

Screenshot

Çmime të larta në prag të Vitit të Ri, qytetarët blejnë vetëm bazën: “Festojmë me aq sa kemi”

Në prag të ndërrimit të viteve, çmimet e frutave, perimeve dhe mishit mbeten të larta, duke detyruar qytetarët të kufizojnë ndjeshëm blerjet për tryezën e Vitit të Ri. Pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta thonë se po blejnë vetëm produktet bazë, ndërsa shpenzimet tradicionale të fundvitit janë zëvendësuar me blerje minimale, për shkak të pamundësisë ekonomike dhe mungesës së uljeve sezonale.

Në tregjet ushqimore, ditët e fundit të dhjetorit po karakterizohen nga një lëvizje më e vakët se vitet e kaluara. Edhe pse ndodhemi në prag të festave, shitësit thonë se qytetarët po blejnë më pak, ndërsa arsyet lidhen drejtpërdrejt me çmimet e larta të produkteve bazë.

Frutat, perimet dhe mishi, të domosdoshme për tryezën e Vitit të Ri, po blihen kryesisht në sasi të kufizuara. Qytetarët po shmangin shpenzimet e mëdha dhe po fokusohen te produktet më të nevojshme, duke lënë mënjanë blerjet tradicionale të fundvitit.

Sipas qytetarëve, mungesa e uljeve sezonale ka rënduar edhe më shumë buxhetet familjare, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Ata shprehen se çmimet aktuale nuk përputhen me nivelin e pensioneve dhe pagave.

“Me këto të ardhura, mezi blejmë gjërat bazë. Çmimet nuk kanë ndryshuar, janë po aq të larta sa më parë”, shprehet një pensionist.

Të tjerë qytetarë theksojnë se, ndonëse çmimet krahasohen me vendet e Bashkimit Europian, realiteti ekonomik në vend është ndryshe. “Të ardhurat janë shumë më të ulëta dhe kjo e bën çdo blerje më të vështirë”, shprehen ata.

Si pasojë, produktet tradicionale të festave po zëvendësohen me alternativa më të lira. Gjelat e detit, për shkak të çmimeve të larta, po mbeten jashtë tryezave të shumë familjeve, ndërsa mishi blihet në sasi më të vogla dhe vetëm për simbolikë.

Edhe ndihmat e dhëna në prag të festave, sipas pensionistëve, nuk kanë arritur të përballojnë rritjen e kostove, duke bërë që këtë fundvit festa të shoqërohet më shumë me kursime sesa me konsum.