Shoferët e transportit ndërqytetës dhe urban në Vlorë kanë dalë sot në protestë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për problematikat me të cilat përballen çdo ditë.
Kërkesa kryesore e tyre është ndërtimi dhe vënia në funksion e një terminali të rregullt për autobusët e linjave, duke theksuar se mungesa e tij ka sjellë kaos në qarkullim dhe vështirësi për pasagjerët.
Një tjetër shqetësim i ngritur është prania e taksive pirate, të cilat sipas shoferëve ushtrojnë aktivitet të paligjshëm, dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe ulin ndjeshëm numrin e udhëtarëve në linjat e licencuara.
Protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë së Vlorës dhe institucioneve përgjegjëse për të vendosur rregull, duke paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.











