Ballina Ekonomi Dogana shqiptare drejt BE-së: Miratohet strategjia 2025–2030

Dogana shqiptare drejt BE-së: Miratohet strategjia 2025–2030

Shqipëria ka miratuar Strategjinë për Modernizimin dhe Harmonizimin e Sistemeve të Informacionit Doganor me ato të Bashkimit Evropian, për periudhën 2025–2030, një dokument që konsiderohet hap kyç drejt unifikimit të plotë të procedurave doganore me standardet e BE-së.

Objektivi kryesor është që deri në vitin 2030, vendi të disponojë një infrastrukturë doganore plotësisht të harmonizuar me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian, duke lehtësuar integrimin gradual në tregun e përbashkët europian dhe duke forcuar procesin e anëtarësimit.

Sipas dokumentit, strategjia do të sjellë një sërë përfitimesh për bizneset shqiptare, përfshirë:

  • uljen e kohës së zhdoganimit,
  • rritjen e efikasitetit operacional,
  • thjeshtimin e procedurave,
  • reduktimin e kostove administrative,
  • si dhe rritjen e aksesit në tregun e përbashkët europian.

Modernizimi synon gjithashtu forcimin e transparencës, rritjen e integritetit institucional, si dhe avancimin e sistemeve të menaxhimit të riskut për të parandaluar kontrabandën dhe aktivitetet e paligjshme ndërkufitare.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thekson se modernizimi digjital është një nga prioritetet kryesore të Kapitullit 29 – Bashkimi Doganor, dhe se ndërtimi i sistemeve të harmonizuara me BE-në është thelbësor për funksionimin efikas të doganës si porta hyrëse dhe dalëse në tregun europian.