Ballina Aktualitet Ish-zv.kryeministri Ahmetaj ka paditur qeverinë në Strasburg

Ish-zv.kryeministri Ahmetaj ka paditur qeverinë në Strasburg

Ish-ministri i Financave dhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka paditur qeverinë shqiptare në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke e akuzuar për shkelje të imunitetit parlamentar dhe të së drejtës për privatësi gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj tij nga SPAK.

Sipas dokumentit zyrtar, padia është bërë bashkë me partneren e tij Erjola Hoxha dhe është depozituar më 8 maj 2024. Çështja i është komunikuar zyrtarisht qeverisë shqiptare më 6 tetor 2025.

Akuza lidhet me kontrollin e ushtruar më 9 mars 2023 në banesën e Ahmetajt dhe Hoxhës, si dhe me sekuestrimin e telefonit të Hoxhës, mbi bazën e një urdhri të GJKKO.

Ahmetaj pretendon se kontrolli ishte i paligjshëm, pasi në atë kohë ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe sipas nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, banesa e një deputeti nuk mund të kontrollohet pa miratim paraprak nga Kuvendi.

Në ankesën e tij, ish-ministri dhe partnerja e tij deklarojnë se nuk kishin asnjë mjet efektiv ligjor për të kundërshtuar urdhrin e kontrollit dhe sekuestrimit, duke pretenduar shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe banesës) dhe nenit 13 (e drejta për një mjet juridik efektiv) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të sqarojë:

1. A ka pasur shkelje të së drejtës së kërkuesit të parë për respektimin e banesës së tij, të garantuar nga neni 8 i Konventës? Në veçanti, a është kryer kontrolli i banesës në përputhje me nenin 73 (2) të Kushtetutës mbi imunitetin e AP-ve? A ka shteruar kërkuesi i parë ndonjë mjet efektiv juridik në këtë drejtim?

2. A ofronin legjislacioni dhe praktika vendase mjete procedurale të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të kontrollit, mënyrën e kryerjes së kontrolleve të banesës së tyre dhe të personit dhe telefonit celular të kërkueses së dytë, ose sekuestrimin e sendeve në banesën e tyre, siç kërkohet nga nenet 8 dhe 13 të Konventës? Në veçanti, a ishte vendimi gjyqësor i 8 marsit 2023 i ankueshëm?