Reagimi zyrtar i Dhomës së Avokatisë Fier për ngjarjen e ndodhur
Dhoma e Avokatisë Fier ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në qytet, ku një grua 49-vjeçare u arrestua nga policia pasi kanosi dhe goditi avokatin A. K., në ambientet e një zyre.
Në reagimin e kryetarit të Dhomës së Avokatisë Fier, Av. Ermal Hamataj, sqarohet se konflikti nuk ka ndodhur për shkak të marrëdhënies avokat–klient, pasi gruaja në fjalë nuk është kliente e avokatit, por një person që, sipas reagimit, ka shfaqur sjellje të paqëndrueshme dhe agresive.
“Zonja në fjalë nuk është kliente e zyrës së avokatit A. K., por është thjesht një person që nuk di çfarë kërkon. Njerëz, mblidhni mendjen, nuk mund të na bëni presion, nuk mund të silleni si vandalë në zyrat tona. Mos harroni, jo vetëm do të përballeni me ligjin, por edhe avokatët dinë të mbrohen”, – thuhet në reagim.
Kryetari Hamataj falënderoi Komisariatin e Policisë Fier për reagimin dhe arrestimin në kohë reale të autores së sulmit verbal dhe vandal, duke theksuar se asnjë akt dhune ndaj avokatëve nuk do të tolerohet.