Ballina Shqiperia ime PD kërkon shkarkimin nga detyra të Presidentit Begaj

PD kërkon shkarkimin nga detyra të Presidentit Begaj

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike gjatë mbledhjes së sotme e konsideroi të papranueshëm ekzekutimin e mekanizmave parlamentarë të kontrollit nga ana e mazhorancës socialiste.

Me anë të një njoftimi për shtyp, grupi parlamentar i PD thekson se vetëm në këtë javë, mazhoranca në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ka refuzuar 3 mocione me debat, 1 kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin dhe 1 kërkesë për seancë dëgjimore në Komision me Ministren e Arsimit.

“Mocionet me debat lidheshin me çështje të rëndësishme në interes të publikut: Prioritetet e Qeverisë në programin e Qeverisë që përparojnë agjendën europiane të Shqipërisë; Dënimin e gjenocidit serb të kryer në Kosovë, në vijim të kërkesës së Presidentes së Kosovës SH.S.Znj. Vjosa Osmani si dhe gjetjen e mekanizmave ligjorë që ofrojnë siguri për Bashkimin Europian që të hiqet bllokimi i vendosur ndaj 112 milionë euro ndihmë për fermerët shqiptarë nga programi IPARD 3.

Për këtë qëllim, ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, vijon njoftimi, pas paraqitjes së gjetjeve të ekspertëve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi që të nisë procedurën parlamentare për propozimin e shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj për “shkelje të rëndë të Kushtetutës”.

Në vijim të diskutimeve të mëparshme, grupi parlamentar i PD miratoi dorëzimin e dy kërkesave, për ngritjen e Komisionit Hetimor për parregullësitë në farsën zgjedhore të 11 Majit 2025 dhe për ngritjen e Komisionit Hetimor mbi bashkëpunimin e provuar nga drejtësia amerikane midis Kryeministrit Edi Rama dhe ish-agjentit të dënuar në SHBA Charls McGonigal.

Lidhur me kërkesat e grupit parlamentar të PS për ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme Parlamentare, lidhur me Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, grupi parlamentar i PD vlerëson se pjesëmarrja e opozitës në këto Komisione do të mundësohet vetëm nëse puna në to ndërtohet mbi bazën e garancive të barazisë pozitë-opozitë, të konsensusit në vendimmarrje në Komision dhe në seancë plenare, të respektimit të parimit të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, si dhe të angazhimit në proces sipas fushave që mbulojnë të ekspertëve të OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës, të Komisionit të Venecias dhe të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Gjithashtu, vijon grupi parlamentar i PD, Kuvendi i Shqipërisë duhet të respektojë dhe të presë me qëllim bërjen pjesë të punës së tij edhe Raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.