Ballina Shqiperia ime Reagimi i Belinda Ballukut për ngjarjen në Gjykatën e Apelit: “Një akt...

Reagimi i Belinda Ballukut për ngjarjen në Gjykatën e Apelit: “Një akt i rëndë që godet vetë drejtësinë”

Screenshot

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës.

“Ngjarja e sotme është tronditëse. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së gjyqtarit Kalaja, kolegëve të tij dhe gjithë trupës gjyqësore për këtë humbje të madhe,” – është shprehur Balluku.

Ajo e ka cilësuar ngjarjen si një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike, si dhe një sulm të papranueshëm ndaj shtetit të së drejtës.

“Dhuna ndaj përfaqësuesve të drejtësisë është dhunë ndaj vetë drejtësisë dhe themeleve të demokracisë sonë. Kjo tragjedi duhet të shërbejë si thirrje urgjente për forcimin e masave ligjore dhe penale, sidomos për kontrollin e armëmbajtjes dhe sigurisë në institucionet e drejtësisë,” – ka theksuar Balluku.

Në fund të reagimit të saj, zëvendëskryeministrja ka theksuar se qeveria mbetet e vendosur të mbështesë çdo nismë ligjore e institucionale që synon parandalimin e akteve të tilla, në mënyrë që drejtësia të ushtrohet në siguri të plotë.

“Ngushëllime të sinqerta familjes Kalaja. Kujtimi i tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit ndaj drejtësisë dhe shërbimit publik.”