Ballina Aktualitet Berisha akuza nga SPAK: Si po urdhërohet drejtuesi i Prokurorisë që të...

Berisha akuza nga SPAK: Si po urdhërohet drejtuesi i Prokurorisë që të fshehë dosjen e Arubës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë, ndërsa sulmoi ashpër kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin. 

Ai tha para GJKKO-së se Dumani është urdhëruar që të fshihet dosja “Aruba”. 

“Të dashur qytetare dhe qytetarë, këtu takova Altin Troplinin, i cili po pinte një kafe me McGonigalin. Dhe McGonigali po e përgëzonte, po i jepte një çmim, atë të armikut të egër të pluralizmit politik. Në duar, McGonigal kishte dosjen e Arubës dhe e urdhëronte që ta fshehësh pafytyrësish siç e ke fshehur gjithë këto vite dhe bënë që qytetarët shqiptarë të mësojnë për një nga aktet më kriminale në historinë e një shteti, takimin në Aruba të qeveritarëve shqiptarë. Bënë që shqiptarët të mësojnë për Arubën nga prokuroria italiane. Bënë që të mësojnë për Arubën nga gjykata belge. Kurse ky llum njerëzor, që ka integritetin e një krimineli, fsheh një nga skandalet më të mëdha në historinë e një shteti. Natyrisht ky është një peng i parave të krimit që i ka larë dhe shndërruar në pronat e tij dhe nuk i justifikon. Por këto kisha për sot për Altin Troplinin.”, tha Berisha. 

Po ashtu Berisha u ndal dhe te akuzat ndaj Irena Gjokës. Berisha nxori një dokument që pretendon se Gjoka është përzënë nga territori grek.

“Tani do t’u njoh me dokumente të reja. Avokati i Irena Gjokës, Altin Troplini, që e mban me çdo kusht këtë delinkuente, këtë kriminele në drejtësi, imagjinoni ju dosjen e ish-presidentit të Republikës, e ish-kryeministrit, e ish-kryetarit të parlamentit, e gjykon një delinkuente, një falsifikatore, një mashtruese që mbahet në detyrë nga i ngjashmi me të, nga sivëllau i saj, Altin Troplini. Kam sjellë këtu dokumente që dëshmojnë se çfarë përfaqëson Irena me 5 mbiemra dhe që Troplini, për ta mbrojtur, i ka hapur dosje penale pa emër. Ky llum ligjor, ky llum njerëzor, shkelmon mbi ligje, mbi fakte, mbi prova, vetëm e vetëm për qëllimet e tij politike. Për të zgjatur jetën e Edi Ramës në pushtet dhe pushtetin e tij. Tani unë kam sjellë këtu certifikatën e datës 24.11.2002, me të cilën policia greke vërteton se e ka përzënë Irena Gjokën nga territori i shtetit grek si falsifikatore vizash. Pra, Irena Gjoka është futur në Greqi duke falsifikuar vizën. Këtu e keni greqisht dhe shqip.
Mbrapa kësaj, prisni, keni dy gjëra të rëndësishme. Mbrapa kësaj keni përkthimin në shqip.Kjo është gjykatësja që gjykon dosjen e ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të parlamentit. Këta janë, llumi fyhet po të përdorësh fjalën llum. Ka të tillë në botë? mund të ndodhë kund? Se vetëm kjo peng, kjo delinkuente zbaton urdhra politikë. Kanë këta një standard? Ky është standardi i Troplinit.”, shtoi Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se emri i kryeministrit Edi Rama ka dalë në dosjen “Aruba” në Belgjikë. 

Ai u shpreh se një nga pjesëmarrësit e hetuar nga drejtësia belge, ka deklaruar se ka pasur dakordësi më kryeministrin Rama që të paratë e tij të investoheshin në vendin tonë. 

Sali Berisha: Nuk e kam nga gazetari italjan. Të parët që kanë bërë publik dosjen Aruba është gjykata belge ku ka dalë emri i Edi Ramës. Di 100 për qind të sigurt që një nga pjesëmarrësit ka deklaruar që janë marrë vesh me kryeministrin dhe i ka premtuar se do të investojë paratë në Shqipëri. 

Klodiana Lala: A keni dokumente për këtë që thoni? 

Sali Berisha: Konfirmimim të plotë nga miqtë e mi kam por dokumente nuk kam ende.