Ballina Shqiperia ime Nafta falas për bujqësinë – 1277 fermerë përfitojnë në fazën e parë,...

Nafta falas për bujqësinë – 1277 fermerë përfitojnë në fazën e parë, deri në 186 euro për hektar

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar listën me 1277 përfituesit e parë të skemës së naftës për punime të mekanizuara në bujqësi.

Sipas aplikimeve të dorëzuara nëpërmjet platformës e-Albania, fermerët kanë vetëdeklaruar kulturat bujqësore të mbjella ose ato që planifikojnë të mbjellin, duke përfshirë të gjitha parcelat sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit.

Sipas vendimit të qeverisë, mbështetja financiare arrin deri në 186 euro për hektar, në varësi të kulturës së mbjellë:

Kultura pranverore (misër, fasule, luledielli, sojë) – 18,582 lekë/ha

Drithëra dhe bimë të lashta (grurë, elb, foragjerë) – 12,714 lekë/ha

Bimë aromatike dhe foragjerë shumëvjeçarë – 8,802 lekë/ha

Mollë – 18,582 lekë/ha, ndërsa ullinj, agrume e vreshta – 15,648 lekë/ha

Arra, bajame, lajthi e gështenja – 13,692 lekë/ha

Perime fushe – 14,670 lekë/ha, dhe perime sere – 16,626 lekë/ha

Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës së mbështetjes për sipërfaqe deri në 10 hektarë, ndërsa për sipërfaqet mbi këtë kufi, mbështetja ulet me 50%, përjashtuar grupet e fermerëve dhe SHBB-të.

AZHBR thekson se të gjitha aplikimet fituese janë verifikuar administrativisht për saktësinë e deklarimeve. Vitin e kaluar, nga kjo skemë kanë përfituar mbi 52 mijë fermerë në mbarë vendin.