Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare, ku u shpërndanë medalje për forcat që u angazhuan në operacionet e shpëtimit dhe përballimit të zjarreve gjatë kësaj vere. Në fjalën e tij, Rama vlerësoi sakrificën dhe përkushtimin e strukturave të angazhuara dhe theksoi domosdoshmërinë për të investuar më shumë në parandalim dhe pajisje.
Rama u ndal te përmasat dramatike të zjarreve që kanë përfshirë vendet e Mesdheut këtë verë: “Nga Spanja te Franca, nga Turqia te Portugalia, Italia e Greqia, i gjithë Mesdheu ishte në flakë si kurrë më parë. Bilanci është tragjik – qindra mijëra hektarë të djegur, pesë herë më shumë se mesatarja e viteve të fundit. Vetëm BE-ja ka humbur mbi 1 milion hektarë tokë nga zjarret.”
Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e avionëve zjarrfikës në pronësi të Shqipërisë, Rama tha se edhe vendet me kapacitete shumë më të mëdha kanë hasur vështirësi:
“Avionët nuk janë magjistarë. Edhe 22 avionët më të rinj nuk mundën të ndalnin zjarrin në Izmir, ndërsa në SHBA, një vendbanim sa Tirana u dogj nga flakët. Megjithatë, falë Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, ndihma ajrore nuk na ka munguar.”
Kryeministri konfirmoi se Shqipëria do të nisë ndërtimin e një flote të vetën, duke filluar me dy avionë zjarrfikës, por theksoi se “magjia është në bashkërendim dhe sakrificë në tokë”.
Ai foli gjithashtu për masat e reja që do të ndërmerren ku do të përfshihen parandalimi më i zgjuar dhe pastrimi i pyjeve, krijimi i korridoreve natyrore, monitorimi me dronë me kamera termike dhe rimbjellje e sipërfaqeve të djegura përmes teknologjisë si edhe investime në qendrat e integruara të kontrollit për reagim të shpejtë.
Rama përfundoi me një apel për përfshirjen e të gjithëve në mbrojtjen e pyjeve: “Çdo shkollë dhe institucion duhet të bëhet pjesë e kësaj përpjekjeje kombëtare për edukim, ndërgjegjësim dhe ripërtëritje të pyjeve tona.”