Rama: Po rilind industria ushtarake, 500 të rinj do punësohen në Pashaliman

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë podcastit “Flasim” se Forcat e Armatosura kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi, që sipas tij lidhet jo vetëm me forcimin e mbrojtjes, por edhe me rilindjen e industrisë ushtarake në Shqipëri.

Rama bëri të ditur se partneriteti me kompaninë italiane “Fincantieri” është zgjeruar dhe tashmë përfshin edhe bashkëpunimin me shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë.

Sipas tij, në kantierin e ri të Pashalimanit do të krijohet një bazë prodhuese, ku pritet të punësohen rreth 500 të rinj dhe të reja, ndaj po punohet për trajnimin profesional të tyre.

“Kemi hyrë në një fazë të re në historinë e Forcave të Armatosura. Nuk bëhet fjalë vetëm për fuqizimin e sistemit mbrojtës, por për rilindjen e industrisë ushtarake”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se synimi është ndërtimi i një zinxhiri të qëndrueshëm profesional për industrinë e mbrojtjes në vend.