Der Spiegel: Protestat në Shqipëri nisën për flamingot, tani kërkohet largimi i Ramës

Revista gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një artikull protestave në Shqipëri, duke theksuar se ato nisën si reagim kundër ndërtimit të një resorti turistik në Zvërnec, por tashmë janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.

Sipas artikullit, dhjetëra mijëra njerëz protestuan në Tiranë, në atë që AFP e cilësoi si demonstrata më e madhe që nga fillimi i protestave në muajin maj.

Der Spiegel shkruan se protesta filloi si një lëvizje mjedisore kundër projektit turistik në rezervatin natyror të Zvërnecit, zonë e njohur si habitat për flamingot. Në projekt përmenden Jared Kushner dhe Ivanka Trump, të afërm të presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas medias gjermane, tensionet nisën pasi në plazhin e Zvërnecit u vendosën gardhe me tela me gjemba dhe u shfaqën mjete ndërtimi. Protestat tashmë kanë hyrë në ditën e 35-të radhazi.

Demonstruesit po denoncojnë korrupsionin dhe po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në protesta janë mbajtur pankarta me mesazhin “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa është kërkuar edhe lirimi i protestuesve të arrestuar gjatë përleshjeve me policinë.

Artikulli përshkruan edhe incidentet e ndodhura para Kuvendit, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit hodhën gurë, vezë dhe sende të forta drejt efektivëve.

Sipas autoriteteve shqiptare, nga përplasjet mbetën të plagosur 15 policë dhe u arrestuan 25 protestues.

Në fund, Der Spiegel thekson se qeveria shqiptare po përpiqet të zhvillojë ekonominë përmes turizmit, ndërsa kritikët akuzojnë Jared Kushner dhe Ivanka Trump se po përfitojnë nga lidhjet me presidencën amerikane për interesa biznesi.