Arrestohet në Greqi Fieraku i dënuar me 14 vite burg për vr*sje

Një 58-vjeçar me origjinë shqiptare, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar në Greqi në kuadër të operacionit policor “Të Kërkuarit”.

Arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke. I ndaluari, me inicialet A.K., ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me 14 vite burg.

Sipas mediave greke, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e kishte dënuar më 27 qershor 2013 për veprat penale “vrasje me dashje” dhe “mbajtje e prodhim pa leje i armëve dhe municionit”.

Ngjarja për të cilën ai u dënua daton në vitin 1999. Sipas hetimeve, gjatë një përleshjeje me tre persona, 58-vjeçari dyshohet se hapi zjarr ndaj tyre, duke lënë një person të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Pas ngjarjes, ai ishte larguar nga Shqipëria dhe kishte gjetur strehim në Greqi, ku qëndroi për disa vite për t’iu shmangur drejtësisë.

Aktualisht, 58-vjeçari ndodhet në paraburgim në Greqi, ndërsa autoritetet po ndjekin procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata shqiptare.