Një seri zjarresh të qëllimshme ka përfshirë mbrëmjen e djeshme zonat e Dukatit, Drashovicës dhe Vajzës në qarkun e Vlorës, duke ngritur alarmin tek autoritetet dhe banorët lokalë.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, zjarret shpërthyen njëherazi mes orës 20:15 dhe 22:15, në një periudhë kohe kur ndërhyrja ajrore është e pamundur. Kjo, sipas autoriteteve, tregon për një planifikim të mirëfilltë kriminal.
Në Dukat të Ri, falë ndërhyrjes së shpejtë të emergjencave civile, flakët u izoluan, duke shmangur rrezikun për banesat. Por ndërkohë, tre vatra të mëdha në lartësitë e Drashovicës dhe dy në Vajzë vijojnë të jenë aktive dhe të pakontrolluara.
“Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren, duke krijuar perimetra sigurie për të mbrojtur banesat dhe pronat e qytetarëve,” thuhet në reagimin e Ministrisë.
Institucioni shton se tipologjia dhe kronologjia e zjarreve krijojnë bindjen e arsyeshme se bëhet fjalë për veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal, i cili ka zgjedhur të veprojë natën për të pamundësuar ndërhyrjen nga ajri.
Forcat operacionale mbeten të angazhuara gjatë gjithë natës për neutralizimin e plotë të flakëve.